Azem Galica
1889 - 1924)
Luftëtar i shquar popullor për çlirim e bashkim kombëtar, për një regjim shtetëror demokratik në Shqipëri, organizator i lëvizjes së armatosur në Kosovë kundër pushtuesve të ndryshëm gjatë viteve 1912 - 1924.
Veprimtarinë e tij patriotike e filloi në vitet 1910-1912, kur mori pjesë në kryengritjet antiosmane. Pas shpalljes së Pavarësisë luftoi në fillim, më 1912-1915 kundër pushtuesve serbë, dhe më pas, më 1915-1918 kundër pushtuesve austriakë e bullgarë. Gjatë Luftës së Parë Botërore drejtoi luftën e çetave kundër rivendosjes në Kosovë të pushtetit të borgjezisë serbomadhe. Pati përkrah tij deri në fund gruan e vet Shote Galica. Sipas direktivave të Komitetit "Mbrojtja Kombëtare e Kosovës", në vitin 1919 mori pjesë në organizimin dhe drejtimin e Kryengritjes së Rrafshit të Dukagjinit, më 1921-1923 mbrojti Zonën Neutrale të Junikut, që shërbente si bazë e kryengritësve të Kosovës e të Malësisë dhe përkrahu kryengritjen e malësorëve të Shqipërisë së Veriut kundër regjimit reaksionar feudo-borgjez. Në vitin 1924 Azem Galica dërgoi luftëtarë për të marrë pjesë në Revolucionin demokratikborgjez të Qershorit. Vdiq nga plagët që mori në luftimet e përgjakshme të korrikut 1924, për mbrojtjen e zonës së lirë të Drenicës, "Arbanisë së vogël".
Shota Galica
Shote Galica, emëruar në lindje si Qerime Galica, (1895 - 1927) ishte luftëtare e shquar e çetave kryengritëse kosovare për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të të gjitha viseve shqiptare dhe për një regjim shtetëror demokratik në Shqipëri, Heroinë e Popullit. Pa përfillur terrorin e armikut dhe ligjet e ashpra të fesë e të kanunit luftoi heroikisht për 12 vjet me radhë kundër pushtuesve serbë, austrohungarezë e bullgarë.
Shote Galica mori pjesë në më shumë se 40 aksione të rëndësishme kundër armikut. Kundërshtoi me konsekuencë politikën e dhunës e të terrorit të regjimit shovinist të Beogradit ndaj popullsisë shqiptare, shpronësimin e shpërnguljen e saj dhe kolonizimin sllav të trevave shqiptare. Më 1919 mori pjesë në Kryengritjen e Rrafshit të Dukagjinit, ndërsa më 1922-1923 luftoi për mbrojtjen e Zonës Neutrale të Junikut, e cila shërbente si bazë për kryengritjen e Kosovës e të Malësisë. Në korrik 1924 mori pjesë në mbrojtjen e zonës së lirë të Drenicës (Arbanisë së Vogël). Në korrik 1924 pas vdekjes së të shoqit Azem Galicës, vazhdoi luftimet në krye të çetës së tij. Së bashku me qindra luftëtarë të Kosovës në dhjetor të 1924 luftoi kundër ushtrive intervencioniste serbe e bjellogardiste dhe mercenarëve të Ahmet Zogut. Humbi në luftime nga masakrat e shovinistëve serbë 22 anëtarë të familjes.
Nga fundi i vitit 1926 Shote Galica u vendos në Shqipëri, ku vdiq në Fushë Krujë e braktisur nga regjimi zogist.
|