BESËLIDHJA SHQIPTARE NËPËR SHEKUJ
Rrënjët historike të besëlidhjes shqiptare duhen kërkuar në periudhat më të hershme të lashtësisë ilire. BESA është tipar dallues i karakterit të shqiptarit ndër shekuj. Historikisht BESA përfaqëson dy aspekte: ajo është një virtyt i lartë moral dhe një institut i së drejtës zakonore ose dokore të trashëguar brez pas brezi në tri kthesat e mëdha historike të racës sonë: në periudhën e Ilirisë, të Arbërisë dhe Shqipërisë.
Si virtyt i lartë moral me zanafillë nga lashtësia ilire, BESA lindi si nevojë e solidaritetit në bashkësinë fisnore. Ajo lidhej midis personash, familjesh, gjinish, vëllezërish e fisesh. Mbështetja kryesore e besës ishte në kultin e fjalës së dhënë. Ajo duhej të bëhej me çdo kusht e me çdo çmim, sepse ishte një detyrim i lartë moral, një detyrim nderi. Në periudhat e hershme historike të bashkësisë së fiseve ilire dhe sipas mendësisë së asaj kohe, lidhja e besës konsiderohej si një akt hyjnor i pa thyeshëm. Thuhej se hyjnitë ilire e kishin bekuar besën dhe lidhjen e njerëzve me anën e besës, si një akt që lartëson moralisht qenien njerëzore dhe këtë popull, duke e veçuar nga të tjerët, të pabesët. Pesha e fjalës së dhënë, pesha e besës ishte, siç thuhej, më e rëndë se bota.
Besëlidhjen e parë, me sa kemi arritur ta hetojmë deri më sot mbi bazën e kërkimeve shkencore të disa historianëve tanë të shquar, është BESËLIDHJA e vitit 6 të erës së re (pas Krishtit) midis fiseve ilire: desidiatëve, breukëve, pirustëve, etj. Meqenëse kishte shtrirje të gjerë dhe përfshinte pjesën qendrore e veriore të Gadishullit Ilirik, atë e udhëhoqën dy prijës me emrin Bato, ai i desidiatëve dhe ai i breukëve si dhe Pini, i të njëjtit fis i cili është shquar në luftimet kundër romakëve. Ajo pati një shtrirje të gjerë që nga Istria jugore, Delmacia (Dalmacia), Bosnja e deri përtej Sremit e SINGIDINIUMIT apo Beogradit të sotëm, që nga Danubi e deri në lumin Mat në Shqipërinë verilindore të sotme.
Sipas historianit romak, Sieton, ajo luftë, “ka qenë më e tmerrshmja nga të gjitha luftërat e jashtme që ka bërë Roma, pas luftës me Kartagjenën”. Lufta plasi për shkak të rekrutimit me forcë të të rinjve ilirë për të luftuar kryengritjen e markomanëve gjermanikë. Ilirët që e shihnin me simpati luftën çlirimtare të gjermanikëve kundër shtypjes dhe shfrytëzimit të egër të Perandorisë Romake, nuk pranuan të shkojnë në luftë kundër tyre. Pasi lidhën besën u hodhën në kryengritje kundër Romës. Duke nuhatur rrezikun e shembjes nga trimëria e ilirëve, romakët lidhën paqe me gjermanikët dhe me të gjitha forcat iu kthyen Besëlidhjes ilire. Pas tre vjetësh luftime, 15 legjione të ushtrisë së rregullt romake dhe po aq trupa ndihmëse dhe me një forcë prej 100.000 ushtarësh, sulmoi Ilirinë. Batoja i desidiatëve qëndroi deri në fund në kështjellën e Anëdetit (Anëdetrit), Spliti i sotëm. Të fundit ranë desidiatët e Bosnjës dhe pirustët e viseve të sotme të Shqipërisë verilindore.
Por, Besa si akt i shenjtë vijoi të ruhet edhe kur shoqëria ilire nga bashkësia e parë fisnore kaloi në shoqërinë me klasa e në formacione shtetërore, në Konfederatën e shteteve fisnore ilire dhe në mbretëritë ilire. Ajo mori funksione të rëndësishme sidomos, në situatat e ngjashme në atë që përshkruam më sipër dhe u bë mjet qëndrese kundër pushtuesve të huaj në luftërat e pandërprera mijëravjeçare. Të trimëruar nga BESËLIDHJA edhe pse të pushtuar, ilirët nuk nënshtroheshin shpirtërisht. Në sajë të Besës, këtij detyrimi të lartë moral, ne sot kemi njësinë më të rëndësishme, gjuhën shqipe si bijë të ilirishtes, si njësi kombëtare dhe tipar dallues i shqiptarit që përbën thesarin më të madh që kemi trashëguar nga stërgjyshërit tanë ilirë.
Kjo BESË e ka mbrojtur jetën shqiptare në çdo hallkë të sajën, për pasojë edhe aspektin gjuhësor, pasi duke mbrojtur të pastër jetën shqiptare me të gjitha doket dhe zakonet, është ruajtur edhe gjuha.
Nuk është e rastit që grekët e vjetër, Trojën e quanin ILLION, fjalë e ilirishtes që na kujton togfjalëshin “YLLI JONË”, dhe vetë emërtimi “ylliri”, na kujton togfjalëshin “YLLI I RI”.
Si luftëtarë që shquheshin me besnikërinë dhe sidomos me trimërinë e tyre, ilirët arritën madje edhe në postet më të larta të Perandorisë së Romës. Shumë prej ilirëve qenë perandorë të shkëlqyeshëm të Romës dhe Bizantit, siç ishin Diokleciani, Trojani në kohën e të cilit Perandoria e Romës arriti zgjerimin e saj më të madh territorial, Konstantini që themeloi Stambollin e sotëm, Justiniani i I-rë dhe i II-të e të tjerë. Ende edhe sot ruhet në Grykën e Gjerdapit buzë Danubit tabloja madhështore e gdhendur në shkëmb: “TABULLA TRAJANA”, si dëshmi e lavdisë së tij. Edhe në Perandorinë Osmane, shqiptarët kishin arritur postet më të larta shtetërore e ushtarake pas sulltanëve. Gjeneralët më të shquar osmanë në tokë e në det, ishin “arnautët” - siç i përçmonin shqiptarët. Shumë prej tyre, qenë vezirë të mëdhenj e kryekomandantë ushtarakë, “serasqer” siç i quanin turqit, dhëndurë sulltanësh e deri te pushtuesi i kryeqytetit të Bizantit, MEHMET PASHË ZOGIANI i Vushtrrisë apo “ZAGANOS PASHA” - siç ia deformon mbiemrin, kronikani grek i sulltan Mehmetit të II-të.
Gjatë zhvillimit të mëtjeshëm ekonomiko-shoqëror të shoqërisë ilire dhe kalimit në periudhën në të cilën ky popull zuri të quhet Arbër, atdheu i tyre Arbëri, ndërsa e folura e tyre: gjuhë e Arbërit, arbërisht, Besa, veç tipareve moralo - etike, zuri të marrë edhe tipare të qenësishme të detyrimit juridik popullor. Ajo u bë një mekanizëm i mbrojtjes kolektive në kthesat e mëdha e të rëndësishme historike për kombin e Atdheun tonë.
Luftërat mijëvjeçare për liri e përparim në njërën anë dhe, veprat e tyre shkatërruese të pushtuesve barbarë kundër qytetërimit ilir në anën tjetër, na kanë hequr mundësinë t’i kemi burimet tona historike, kështu që, ne nuk kemi një pasqyrë të plotë të besëlidhjeve. Megjithatë, BESËLIDHJA E ARBËRISË (1257-1259) hetohet nga përshkrimet që komandanti i forcave bizantine, Gjergj Akropoliti i bën Kryengritjes së Arbërisë. Përballë besëlidhjes së fuqishme të Arbërisë, popullsia e së cilës, siç shkruan ai, mori pjesë si një tërësi, bëri që ai, Gjergj Akropoliti, të binte rob në duart e burrave të Arbërit, të cilët ia dorëzuan despotit të Epirit, MIHAILIT të II-të, ENGJËLL KOMNENI.
Burrat e Arbërit morën pjesë edhe në dy beteja të rëndësishme të koalicionit të krishterë ballkanik, por që të dyja dështuan. Është e rëndësishme të përmendet këtu se të dyjave u prinin në Betejën e Maricës (1371) VUKASHINI dhe UGLESHA, ndërsa në Betejën e Kosovës, LLAZARI, që të tre, princa serbë. Lidhur me këtë fakt, propaganda e shfrenuar serbomadhe, mohon pjesëmarjen e shqiptarëve ashtu si akademikët serbë që i kanë shitur penat e tyre në shërbim të politikës që shkojnë aq larg, sa falsifikojnë historinë dhe mohojnë pjesëmarrjen e shqiptarëve duke i trajtuar ato beteja si beteja serbo - turke. Mirëpo, fatmirësisht, shkencën botërore nuk e bëjnë serbët. Kronikanët osmanë, ASHIK PASHA ZADE dhe IDRIZ BITLISI, si dhe shkencëtari austriak, JOSIF VON HAMMER, mbase ndër njohësit më të mirë të Perandorisë Osmane të asaj kohe, dëshmojnë me fakte se në Betejën e Maricës mori pjesë me shqiptarët e tij edhe sundimtari i Vlorës, ALEKSANDRI. E ndërsa nën komandën e Vukashinit dhe Ugleshës ishin 60.000 luftëtarë, komandanti turk Evrenoz Beu kishte vetëm 15.000 dhe ngadhënjeu. Autorët e përmendur tregojnë se, në Betejën e Kosovës (1389) veç polakëve, hungarezëve, çekëve, boshnjakëve, serbëve, kroatëve, rumunëve e bullgarëve, morën pjesë edhe shqiptarët. Madje ata patën komandantët e shkëlqyer Dimitër Jonimën, Gjergjin II., Shtatmir BALLSHËN (sllavët e quajnë:Stratimiroviç?!), vëllezërit JUNT dhe TEODORI II MUZAKA, që mbeti në fushën e nderit, GJERGJ KASTRIOTI i I-rë (gjyshi i Skënderbeut) dhe NIKOLLË DUKAGJINI i I-rë. Luftëtari dhe prijësi trim shqiptar, MILLOSH NIKOLLA i fshatit të sotëm Kopiliq të Drenicës, arriti madje të shpojë me shpatë sulltanin turk, GAZI MURAT HANIN e I - rë. Këtë vepër heroike, mundohet ta përvetësojë duke e quajtur serb me emrin MILLOSH OBILIQ (prej Mezisë, principatë që përfshinte Drenicën, pra Mëzi i pelës që ata e përkthejnë nga osmanishtja si “Kobiliq” e mandej e heqin rrënjën e “K” nismëtare duke mbetur Obiliq, zbërthim sipas Anatasie Urosheviqit, një ndër shkencëtarët më antishqiptarë që ka pasur ndonjëherë Serbia. Po s’është për t’u habitur se çdo gjë të lavdishme shqiptare, ata mundohen ta paraqesin si serbe, siç vijojnë me nënën e Skënderbeut: VJOSA (emër peme e fruti, shqip), e cila pasi kishte kaluar në fenë ortodokse u quajt VOJSAVA. Po në këtë mënyrë përvetësuan MANASTIRIN E DEÇANIT e të GRAÇANICËS të Mehmetit të II-të të -“FATIH”, dhe, kjo pasi kisha ortodokse u shpall vasale e sulltanit dhe meqë nëna e tij ishte serbe, u dha privilegje të mëdha.
Por, BESËLIDHJA më e rëndësishme e kombit shqiptar është pa dyshim ajo e vitit 1444 dhe që nuk humbet asgjë nga shkëlqimi i saj. Më 2 mars të vitit 1444, në këtë qytet të mrekulluar, pra në Lezhën tonë famëmadhe, u mbajt KUVENDI I PRINCAVE të Arbërit, udhëhqeur nga GJERGJ KASTRIOTI - Skënderbeu dhe nën kryesinë e tij, lidhën besën ANDREA TOPIA, GJERGJ ARIANITI, NIKOLLË PAL DUKAGJINI, LEKË ZAHARIA, GJERGJ STRES BALSHA, LEKË DUSHMANI, PJETËR SPANI e të tjerë. Përballë rrezikut të sërishëm nga turqit, princat i lanë në një anë mospajtimet dhe grindjet dhe i bashkuan forcat politike, ekonomike e ushtarake nën pushtetin e BESËLIDHJES SË LEZHËS, e cila duke i bërë ballë superfuqisë më të madhe të kohës për një çerek shekulli, u bë MBUROJA më e sigurt për Evropën e krishterë dhe qytetërimin e saj që e shpëtoi nga pushtimi osman. Për hir të sakrificës sublime dhe, aq më shumë, GJAKUT që derdhi Shqipëria me Gjergj Kastiotin, Evropa sot ka për detyrë nderi të mos e pengojë, por, të ndihmojë përpjekjet titanike të kombit shqiptar për ÇLIRIM dhe RIBASHKIM E PËRPARIM. Situatën në Ballkan do ta stabilizojë vetëm RIBASHKIMI i të gjitha viseve etnike shqiptare në një shtet integral shqiptar. Hapi i parë drejt sendërtimit të këtij qëllimi fisnik dhe garanci se Evropa nuk do të përsërisë gabimet e 1878-ës dhe të 1913-ës, është njohja e Republikës së Kosovës dhe e viseve të saj etnike që kanë qenë nën ish-Jugosllavi, si shtet i pavarur e sovran.
Kultivimi dhe ruajtja e tipareve morale e juridike të besës gjatë tërë mesjetës, lidhet pashkëputshmërisht me kushtet e veçanta historike në të cilat u zhvillua shoqëria shqiptare deri në shekullin e XX. Veç rregullimit të marrëdhënieve vetiake, familjare, gjinore e fisnore, sidomos në rrethanat e bashkësive patriarkale të fshatarësisë shqiptare, besa u bë edhe mekanizëm i veçantë mbrojtës në shkallë krahinore e gjithëkombëtare. Në dallim prej fshatarësisë së popujve të tjerë ballkanikë, në sajë të besëlidhjes, vetëm ajo shqiptare nuk u bë raja ose shërbëtore. Malësorët shqiptarë ishin në përlasje të vazhdueshme me administratën shtetërore, sepse ajo u përkiste pushtuesve të huaj. Besëlidhjet, pra u shërbenin kryengritjeve për çlirim kombëtar e shoqëror dhe ishin një forcë e madhe lëvizëse drejt qytetërimit e përparimit.
Funksioni rregullativ i besës e i besëlidhjes apo i futjes në besë, u vërejt sidomos në rastet e shpeshta të vrasjeve e të gjakmarrjeve, kësaj plage shekullore që në trojet e Arbërit e mbollën të huajt. Besa pengonte gjakderdhjen e gjakmarrjen dhe, në atë fazë zbuste veprimin e pakushtëzuar të këtij zakoni të egër, mbetur apo trashëguar nga pushtuesit e huaj barbarë. Funksioni në këtë mënyrë i besës e i besëlidhjes, gjeti shprehjen më të mirë në rastet kur rrezikohej atdheu ose ndonjë pjesë e veçantë e tij. Në këtë mënyrë, organizoheshin kuvendet me popullin, nëpër të cilat sipas traditës së lashtë shqiptare, njerëzit “hynin në besë” me njëri-tjetrin, siç hynin edhe fshatra, qytete e krahina të tëra e deri në “besën e madhe”, e cila shtrihej në shkallë gjithëkombëtare me ç’rast shpallej BESËLIDHJA dhe rrokeshin armët për mbrojtjen e vendit. E ndërsa në vendet e tjera për rastet e ngjashme, mobilizimi bëhej me urdhër prej së larti nga perandori, mbreti apo princi, në Shqipëri, kjo ndodhte së poshtmi, mbi bazën e vullnetit të lirë me hyrjen në besë, e cila obligonte më shumë se çdo urdhër apo ligj.
Besëlidhja, pra nuk ishte organizëm shtetëror, por zotim nderi e vullnetar për të qëndruar në ballë të luftës për mbrojtjen e vendit nga kërcënimi. Ajo kishte karakter defansiv, mbrojtës.
Kështu, në vitet ‘20 të shekullit të kaluar, nën kryesinë e Ismajl pashë Vlorës, gjyshit të Ismajl Qemajlit, lidhën besën ZYLYFTAR PODA, SHAHIN DELVINA, ÇELO PICARI, TAFIL BUZI, ABDYL KOKA e shumë atdhetarë të tjerë trima, të shoqëruar nga 7.000 besnikë sypatrembur e të armatosur të cilët organizuan me 7 nëntor 1828 në Berat, Kongresin apo “KUVENDIN E MADH SHQIPTAR”, prej të cilit, siç dëshmojnë burimet osmane të “Bashballkanllek Arshivi” -t të Stambollit, doli “Besëlidhja e fuqishme SHQIPTARE”. SADRIAZEMI i Portës së Lartë dhe serasqer i Rumelisë, MEHMET RASHIT PASHA, i shkruan sulltanit më 21 nëntor 1828 se shqiptarët “nuk çajnë kokën për fe”, “din” e “dovlet” se ky popull “nuk mund të krahasohet me burrëri e trimëri me asnjë komb tjetër”.
Po kështu, një besëlidhje e rëndësishme, pas vrasjes me të pabesë të Ismajl Pashë Vlorës, bëri ZYLYFTAR PODA me BUSHATËT e Shkodrës, më 1830. Mirëpo formën më të mirë, shtrirjen më të gjerë dhe përmbajtjen më të shëndoshë, besëlidhja e arriti me “Besëlidhjen Shqiptare të Prizrenit”, kur “hyrja në BESË”, u bë rreth një platforme të vetme politike; BASHKIMIT të katër vilajeteve shqiptare (krahinave), Shkodrës, Kosovës, Manastirit e Janinës në një shtet të bashkuar shqiptar. Kjo u arrit me 10 qershor 1878 në Prizren, si “kërthizë e atdheut”, me besëlidhjen gjithëkombëtare, për t’i dalë zot copëtimit të atdheut, që ishte i kërcënuar me Traktatin e Shën Stefanit, paralagje e Stambollit.
Kongresi i Berlinit, sadoqë nuk ia hapi dyert besëlidhjes shqiptare, të shndërruar në organizëm pushtetar, nuk mundi ta kapërcente çështjen shqiptare si një problem kyç. Deri atëherë, nuk kishte ndodhur që ndonjë fuqi sado e madhe të ketë qenë, të thyente vendimet e një Kongresi (kuvendi) botëror të paqes, mirëpo “BESËLIDHJA SHQIPTARE”, ME FORCËN USHTARAKE QË KRIJOI PREJ 200.000 LUFTËTARËSH TRIMA VULLNETARË, E DETYROI KONGRESIN E BERLINIT QË TRI HERË TË KORRIGJONTE VENDIMET E TIJ. Mbrojtja e shkëlqyer që shqiptarët i bënë Plavës e Gucisë, Hotit e Grudës, bënë të thyhej miti i “pathyeshmërisë së ushtrisë malazeze”, të Knjaz Nikollës, kur 8. 000 shqiptarë me armatim shumë më të dobët, thyen me turp 12. 000 ushtarë malazezë të armatosur me armët më moderne që u dhanë Fuqitë e Mëdha, flota e të cilave e sulmoi Ulqinin dhe së bashku me ushtrinë osmane ia dha Malit të Zi.
Si vazhdim i natyrshëm i kësaj besëlidhje ishte edhe “LIDHJA SHQIPTARE” e Pejës me Haxhi Zekën, e cila u quajt; ”BESA - BESË”.
Bërthama e saj, nxori krye qysh më 1893, kur Haxhi Zeka shkoi në Stamboll që t’ia paraqiste kërkesat e shqiptarëve, Sulltanit, por, u arrestua me të pabesë dhe u mbajt për tre vjet me radhë në internim. Pas kthimit, Haxhi Zeka organizoi popullin dhe më 1899, i dha karakter gjithëkombëtar Lidhjes “Besa-Besë” dhe e udhëhoqi me sukses atë derisa më 18 shkurt 1902, e vrau pabesisht, agjenti i Serbisë dhe i sulltanit, Adem Zajmi.
Rrugën e besëlidhjeve e ndoqi edhe Komiteti “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” në të cilin ishin Hoxha Kadri PRISHTINA (kryetar), Bajram CURRI, Hasan PRISHTINA, Sali NIVICA, kolonel Hysni CURRI, Rakip KAJA BEGOLLI e shumë të tjerë. Platformë politike e tyre ishte çlirimi i Kosovës dhe i viseve të tjera shqiptare që padrejtësisht ishin ndarë nga trungu etnik shqiptar dhe ribashkimi me Shqipërinë. Ky komitet i themeluar në ilegalitet më 1 maj 1918, kurse, në nëntor të atij viti, pra në 1918, u vendos në Shkodër prej nga i drejtohej opinionit publik të vendit dhe atij botëror për çlirimin e viseve të okupuara shqiptare.
Po në këto gjurmë e rrugë çlirimtare duhet të marshojë edhe “BESËLIDHJA KOMBËTARE DEMOKRATIKE SHQIPTARE”, SI ZËDHËNËSJA DHE VEPRUESJA AUTENTIKE E SHQIPËRISË ETNIKE ME BASHKIMIN E TË GJITHA KRAHINAVE SHQIPTARE NË BALLKAN. Meqenëse diktatura komuniste si në Shqipëri e, posaçërisht në Kosovë, ka tentuar ta zhdukë këtë emër dhe platformën e saj programore nga e cila i kanosej një rrezik tepër serioz, sepse BKDSH lindi në ato çaste dhe rrethana jashtëzakonisht të ndërlikuara për kauzën tonë mbarëkombëtare, pra kjo BESËLIDHJE, u krijua në ato momente kur agjentët e PKJ në Shqipëri e detyruan PKSH dhe Enver HOXHËN që ta anulojë marrëveshjen e Mukjes. Patrioti i mirënjohur kosovar, strategu dhe pedagogu me famë, Prof. Ymer BERISHA i ndihmuar dhe përkrahur nga Prof. Bedri PEJANI, PATER BERNARD LLUPI, KOLË PARUBI, GJERGJ MARTINI, gjeraqina shkodrane, MARIJE SHLLAKU e shumë intelektualë të tjerë, në 12 shtator 1943, themeloi në Pejën e Haxhi Zekës, burimisht Organizatën “BESA KOMBËTARE” e cila pas lidhjeve që prof. Ymer Berisha bëri me “Besëlidhjen e Lumës” të Muharrem Bajraktarit, me “Besëlidhjen e Maleve” dhe Malësisë së Mbishkodrës, me çetat luftarake të Pukës si dhe me Prof. GJON SEREÇIN, AJET GËRGURIN, HALIM SPAHINË, NDUE PËRLLESHIN, SHABAN POLLUZHËN, BISLIM BAJGORËN, ADEM VOCËN, HALIM ORANËN, Zef Gjidoda, Adem Gllavicën, Alush Smajli - Qerratanë, Ukë Sadiku, Qazim Bajraktari i Astrazubit si dhe me krerët nacionalistë të Shalës së Bajgorës: Ahmet Selacin, Ukshin Kovaçicën, Bislim Bajgorën, Hajredin Vilishiqin, Adem Vocën dhe të tjerët, kjo organizatë, do të shëndrrohej në një LËVIZJE mbarëkombëtare, me rastin e mbajtjes së Kuvendit historik të Dobërdolit që u mbajt më 4 – 5 gusht 1945 në malet e Llapushës, për çka janë shkruar shumë vepra nga historianë e publicistë të shquar kosovarë, mirëpo kjo besëlidhje mbarëshqiptare pas vrasjes mizore të ideologut të saj, Prof. Ymer BERISHËS, më 11 korrik po të vitit 1946, në fshatin Herreç të Gjakovës, vrasja e të cilit ende nuk ishte njohur në Kongresin historik të Lipovicës, (tani Blinaja), kjo lëvizje apo kjo besëlidhje e ndryshoi emrin me propozimin e kryesuesit të Kongresit, Gjon Serreqit dhe u quajt “ORGANIZATA NACIONAL DEMOKRATIKE SHQIPTARE” (ONDSH). Ndërsa duke mos e ditur mosardhjen e prof. Ymer Berishës në Kongres dhe duke menduar se ka pasur pengesa gjatë udhëtimit, delegatët njëzëri e zgjodhën Ymer Berishën kryetar të lëvizjes pra, ONDSH. Dhe me këtë emër, kjo lëvizje kaloi krajata ose kalvare e ndeshje të njëpasnjëshme me forcat shtazarake të okupatorëve sllavokomunistë, si dhe në Shqipërinë e Enver Hoxhës ku u ndoqën, u ndëshkuan dhe u shpartalluan forcat e Besëlidhjes së Maleve të Mbishkodrës dhe Malësisë me në krye heroin kombëtar, dr. Mark Gjomarkun, ndërsa shumë luftëtarë të Besëlidhjes së Lumës, bashkë me prijësin e tyre, Kolonel Muharrem Bajraktarin, u detyruan ta lëshojnë Shqipërinë dhe të kalojnë fillimisht në Greqi e pastaj u shpërndanë në të katër anët e botës. Ashtu ndodhi edhe me forcat e “shtabit suprem” të Kosovës, me në krye HysenTërpezën që e lëshuan atdheun duke mërguar. Ndërsa ata trima dhe luftëtarë të lirisë që nuk pranuan t’i lëshojnë trojet stërgjyshore, u ballafaquan me forcat e mëdha të armikut dhe luftuan heroikisht derisa u asgjësuan tërësisht. Përpjekt e kësaj lëvizje apo Besëlidhje kanë qenë gjigande që mund të krahasohen me ato mitologjike të Davidit me Goliatin dhe gjatë kësaj periudhe gjysmëshekullore, kjo Lëvizje i dhuroi kombit dhe atdheut 3.742 dëshmorë të devotshëm. Dhe një ndër të cilët duhet të përmendet me respektin më të lartë të këtij çasti jubilar është bija e Shkodrës martire, MARIJE SHLLAKU, e cila në momentet e fundit të jetës së saj, kur gjendej para tytave të armëve vdekjeprurëse të skuadrës ekzekutore të Oznës jugosllave, në pyetjen cinike të komandantit të skuadrës se a ka ndonjë dëshirë të fundit, ajo i përgjigjet: “Po, dua ta dëgjoj himnin kombëtar shqiptar!”. Gjaksori sllavokomunist tërbohet nga zemërimi dhe i thotë “nikada!” (kurrë jo!), ndërsa Marija fillon me zërin e saj krenar, edhe pse fizikisht ishte e rraskapitur nga torturat fizike që i kishin bërë komunistët sllavë dhe këndon sokolesha dardane: “Prej luftës veç ai largohet që është lindur tradhëtor / kush është burrë nuk frigohet, po vdes, po vdes, si një dëshmor...”! - dhe aty ia preu zërin e saj hyjnor rafali satanik i okupatorëve të pashpirt dhe u shtri përtokë e mbuluar me gjak, por vdiq vetëm si vdesin heroinat që lindin nënat tona shqiptare. Kemi edhe shumë raste të tjera trimërie e përkushtimi deri në sakrifica sublime të veprimtarëve të kësaj ideje mbarëkombëtare e cila më 16 gusht 1972 me bashkimin e disa grupeve dhe organizatave të tjera simotra me ONDSH, lindi një BESËLIDHJE e cila nuk u quajt as parti e as organizatë, por thjesht, u pagëzua me emrin “BESËLIDHJA KOMBËTARE DEMOKRATIKE SHQIPTARE”, dhe me këtë emër ka vepruar dhe po vepron në të gjitha trojet etnike shqiptare dhe në mërgim, kurse në shtetin tonë shumë të dashur, në Shqipërinë Nënë, siç e quajmë ne të mërguarit, Besëlidhja jonë u legalizua me miratimin e Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë më 4 mars 1992 e cila brenda pak kohësh, u konsolidua dhe u lidh me pjesët e saj jashtë kufijve aktualë shtetërorë dhe që më në fund, më 3 e 4 mars 1994, mbajti Kuvendin e saj mbarëkombëtar, për të parën herë në Shqipërinë e lirë demokratike dhe të 7-tin me radhë dhe, ky Kuvend i Besëlidhjes sonë i vuri bazat themelore të veprimtarisë sonë drejt realizimit të aspiratave më të larta, më të shenjta dhe më të drejta e humanitare, Çlirimin e trojeve të grabitura dhe të pushtuara nga të huajt dhe ribashkimin e tyre, atdheut tonë, Shqipërisë së Gjergj Kastriotit, Shqipërisë së Avdyl Frashërit, Shqipërisë së Ismajl Qemajlit, Shqipërisë së ëndërruar me lot e me mall të papërshkruar të atdhetarëve të saj që u kalbën nëpër burgjet e shumta të diktaturës komuniste dhe të asaj të okupatorëve të huaj, pra për një Shqipëri të bashkuar dhe të pandarë ashtu siç kanë dëshiruar edhe krerët e Besëlidhjes së Lezhës si dhe të gjitha Besëlidhjeve të deritashme shqiptare.
RROFTË SHQIPËRIA ME TROJET E SAJA ETNIKE!
|