E DJATHTA SHQIPTARE KURRË NUK E NDËRPREU LUFTËN PËR BASHKIMIN E TROJEVE TË SHQIPËRISË ETNIKE
PSE DËSHMORI VEHBI IBRAMI U LARGUA NGA AUSTRIA PËR T’U VRA NË BELGJIKË?!
VEHBI IBRAHIMI 23.5.1938 në Uglar- Gjilan- 10.10.1981 në Bruksel-Belgjikë)
DËSHMOR I KOMBIT SHQIPTAR DHE USHTAR BESNIK I IDEALIT TË SHQIPËRISË ETNIKE
Kongresi i -II-të i Partisë Besëlidhja Kombëtare Demokratike Shqiptare qe mbajtur në Frankfurt
të Gjermanisë, më 14-15 -IV-1979, Vehbi Ibrahimi ishte nënkryetar i Komitetit Qendror.
Shkruan: Xhafer Leci
Vehbiu i ndjerë në Kosovë ishte themelues i shoqërisë "Ismail Qemali", diku nga vitet e `60-ta. Më 1969, kalon në Austri, gjithnjë duke punuar në shërbim të çështjes shqiptare, i cili veprimtarinë e vet në Belgjikë e ka vazhduar edhe pas largimit nga Austria. Në mbledhjen e mbajtur më 18.06.1977, në Bruksel nënshkruhet Marrëveshja e bashkimit të Besëlidhjes Kombëtare Demokratike Shqiptare, Lidhjes së Vardarit, Lidhjes së Prizrenit - Dega në Francë dhe Shoqërisë Demokratike Shqiptare "Ismail Qemali". Nga ky bashkim është vendosur që organizata të quhet, ORAGANIZATA KOSOVARE REVOLUCIONARE NACIONAL-DEMOKRATIKE SHQIPTAE- (O.K.R.N.D.SH.), ndërsa pas dy vjetësh në Frankfurt, më 15.04.1979 Vehbiu zgjidhet nënkryetar i Komitetit Qendror të Besëlidhjes. Që nga kjo datë përsëri organizata u emërua me emrin e vjetër të Besëlidhjes (B.K.D.SH), kryetar i së cilës ishte dhe ende është zotni Emin Fazlija, i njohur me pseudonimin Arben Kosova e më vonë Emil Kastrioti. Emini ishte një veprimtar dhe patriot i pa lodhur, i burgosur politik, ku nga gjyqi ushtarak i Kroacisë në Zagreb, më 1960 dënohet me 8 vjet burg dhe bashkë me të dënohen edhe disa shokë të tij shqiptarë. Më 1966, Titoja, pas rrëzimit nga pushteti të ministrit të brendshëm jugosllav, kriminelit serb Aleksandër Rankoviq, amniston shumë të burgosur politikë, në mesin e tyre edhe Emin Fazliun. Emini më 1970 kalon në Gjermani, por kurrë nuk e ndërpreu veprimtarinë e tij për formimin e një Shqipërie etnike dhe demokratike.
Dëshmori dhe atdhetari nacionalist, antikomunisti Vehbi Ibrahimi, në vitet e `70-ta punonte si gjellëbërës në hotelin "Breitenhof", në Thiersse, Austri, vend malor turistik, diku 7 km. larg nga qyteti Kufstein. Reshat Sahitaj, gazetar, në fejtonin e tij në tri vazhdime tek "Epoka e Re"; 26, 27 dhe 28 nëntor 2002, ndër të tjera shkruante se "dy persona të dyshimtë me pamje aziatike të porositur nga UDB-ja, kishin shkuar për ta vra Vehbiun, por që atje ishte vend skijimi dhe pa e kaluar kontrollin e policisë nuk mund shkohej atje".
Unë e kam bërë poashtu një shkrim rreth fejtonit të gazetarit zotni R. Sahitaj tek "Bota sot", më 23.03.2003, f. 13, me titull "Luftëtari i lirisë nuk mund të jetë terrorist"! Dhe kjo që tani shkruaj nuk është thënë ose shkruar atëherë. Pra, këtu dua të shtoj si më poshtë vijon:
Vehbi Ibrahimin e kam njohur diku në vitin 1971. Ai ishte i dashur dhe i afërm me të gjithë. Fliste gjithherë për çështjen tonë kombëtare me ata të cilët ai i konsideronte si kombëtarë dhe sidomos me rininë. Vehbiu kishte dhe lexonte literaturë nga më të ndryshmet, por punëtorët shqiptarë të asaj kohe, shumica frikësoheshin dhe nuk kishin guximin t’i lexonin, bile kishte edhe të atillë që u iknin kontakteve me Vehbiun. Ato që ka sjellë Reshati, unë nuk i di, por një gjë është e sigurt: se atje ku punonte Vehbiu asokohe mund të shkohej pa ndonjë problem, pra pa asnjë kontroll policie, si në çdo qytet ose fshat të zakonshëm të Austrisë. Në Thiersse, afër hotelit ku punonte Vehbiu, kishte një liqen të vogël, shumë i bukur dhe karakteristik për turistët dhe shumë vështirë dallohej uji nga bari i gjelbër përreth, sa që njeriu i pavëmendshëm lehtë mund të binte në liqe.
Vehbi Ibrahimi është larguar nga Austria pak pas themelimit të klubit jugosllav "Xhemajl Bjediq" në Kufstein të Austrisë, diku në vitin 1973, apo më vonë. Unë, nga viti 1972, kur kalova në Gjermani, i pata humbur lidhjet me Vehbiun. Ditën kur mblidhen punëtorët për themelimin e klubit, Vehbiu duke e ditur se në Kufstein kishte më shumë punëtorë shqiptarë se sa të tjerë jugosllavë, merr pjesë në atë tubim dhe propozon që klubit t’i vihet emri "Ismail Qemali". Dikush nga serbët propozon emrin e "Car Llazarit" etj. Ndërsa, dikush nga boshnjakët propozon emrin e Xhemajl Bjediqit, dhe ky propozim përkrahet nga konsulli jugosllav i asaj kohe, i cili kishte ardhur nga Kllagenfurti për ta përcjellë këtë tubim. Masa e tubuar nga frika apo me dëshirë e kishte përkrahur propozimin e boshnjakut dhe miratimin nga konsulli serbo-jugosllav. Nga kjo ditë fillojnë hetimet kundër Vehbi Ibrahimit, sepse kur i vjen koha e vazhdimit të pasaportës, konsullata jugosllave në Kllagenfurt nuk ia vazhdon më pasaportën. Asokohe çdo vit duhej vazhduar pasaportën, kështu që as organet kompetente austriake nuk kanë mundur t`ia vazhdojnë lejen e qëndrimit dhe as të punës për Austri. Prandaj, Vehbiu detyrohet të largohet nga Austria për të shkuar në Belgjikë dhe kjo, pra, ka qenë arsyeja e largimit të tij nga Austria.
Por Vehbiun UDB-ja jugosllave e përcjell këmbakëmbës deri kur edhe e vrasin, më 10 tetor 1981 në Bruksel. Nga Emin Fazlija kam mësuar se atentatori i cili ka provuar vrasjen e Vehbiut, është kapur nga organet e policisë austriake dhe është larguar nga Austria, të cilit i është ndaluar për 20 vjet hyrja në Austri. Kjo ishte vrasja e parë e një shqiptari në Perëndim nga UDB-ja jugosllave. Këtë që rrëfeva për largimin e Vehbiut nga Austria në Belgjikë, e kam mësuar nga daja im, Ramadan Buca, kushëri i parë i nënës time. Ramadani dhe shqiptarë tjerë kanë marrë pjesë në tubimin e themelimit të klubit në fjalë.
Procese, regjistra dhe shkresa tjera të Vehbiut sot gjenden tek kryetari i BKDSH z. Emin Fazlija, tek i cili kam parë shumë emra të punëtorëve shqiptarë, të cilët unë i kam njohur atëherë në Kufstein të Austrisë. Aty figuronte edhe emri im i regjistruar më 12.02.1972. Vehbiu, jo për të gjithë kishte pasur mendime të mira. Ai disa personave ua kishte vënë nga një pikëpyetje (?), që nënkuptonte se ende nuk e ka verifikuar personin se a është në shërbim të kombit apojo? Kishte edhe të dyshimtë, të cilët mund të kishin qenë në shërbim të agjenturave të huaja. Vehbiu ka qenë mik e shok i idealit me Metush Krasniqin etj. Unë dëshiroj ta përkujtoj dëshmorin Vehbi Ibrahimi, dhe të përshkruaj drejt atë pjesë, që unë e di, por që interpretohet apo shkruhet gabim, nga kushdo qoftë, me apo pa qellim.
Zotni Emin Fzlija, ka qenë shoku, miku dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i tij, dhe as kush nuk di më shumë sesa Emini për veprimtarinë dhe jetën e Vehbiut. Emini ka shkruar e folur, dhe ka shumë materiale të gatshme rreth veprës dhe jetës së Vehbiut, të cilat një ditë do t`i zbardhë me botimin e librit të tij.
Emini, Vehbiu e tjerë djathtistë, kanë folur, shkruar e organizuar demonstrata nëpër perëndim, por që ishin shumë të penguar dhe të përcjellë nga dy sistemet komuniste, ai titoist e ai enverist. Për dallim nga majtisto-komunistët enveristë, të cilët ishin të përkrahur dhe te furnizuar me literaturë propagandiste antidjathtiste nga shteti amë, Shqipëria. Djathtistët luftoheshin kudo, edhepse ata luftonin kundër okupatorit sebo-sllavo-grek, për një Shqipëri të bashkuar Etnike.
Zotni Emin Fazlija, amanetin dhe obligimin moral e njerëzor e kreu si burrat, pasi që nga Brukseli solli në vendlindjen e tij Uglar, eshtrat e trupit të Vehbiut pas 20 vjetësh, pikërisht më 1 prill 2002, u varros me nderimet te larta, sipas meritës dhe veprës së tij kombëtare. Kurse fshati Uglar më 28 Nëntor 2002, ia ngriti shtatoren Vehbiut.
I kam lexuar dy fejtonet e zotit Milazim Arifi tek gazeta "Bota sot", me titull: "Kujtimet nga katrahurat e viteve të burgjeve", në 11 vazhdime; 28. 09 - 07.11.2004 f. 13, i cili në dy ditët e fundit nuk ka dalë në diasporë, por kishte vazhduar të dalë në Kosovë, kështu më kanë thënë të afërmit e mi. Fejtoni i dytë në 17 vazhdime 13 - 30.05.2005, f.19-20 me titull: "Skifter Arifi, luftëtar, dëshmor i tri luftërave për liri".
Unë gjithherë me vëmendje i lexoj fejtonet e luftërave shqiptarë, sepse janë të dhimbshme dhe i ndjej në shpirt, sikur t’i kisha përjetuar vetë. Por fejtonet e Milazimit më kanë prekur thellë në shpirt, sepse e kam njohur Milazimin, vëllain e tij Ibrahimin dhe kushëririn Sefer Seferi, që nga viti
1970. Seferi dy herë më ka dhënë nga një paqetë cigare t`ia dërgoja axhës tim, Zukë Lecit. Zuka ka qenë pleqnar dhe kishte marrë pjesë në një pajtim për hakmarrje gjaku, në familjet Arifi-Seferi, në një fshat të Preshevës, nuk më kujtohet emri. Unë kam dëgjuar se diku më 1975, Milazimi është burgosur me Begzad Osmanin, vëllain e shumë të vuajturit të ndërgjegjes Kadri Osmanit, i cili ka vuajtur 17 vjet burg. Milazimi kishte luftuar me dy djemtë e tij në shumë fronte të Kosovës, Kosovës Lindore dhe në Maqedoni. Pra, duke i lexuar këto fejtone më kthyen në kohën e para 36 vitesh kur isha në Kufsteinin turistik e romantik të Austrisë. Atje, në vitin 1969, kur i isha 20 vjeç, kam njohur me dhjetëra shqiptarë, ku para syve të mi paraqitej Milazimi, një burrë dy metra i gjatë, i ri dhe i bukur, me të cilin kurrë më nuk jam takuar. Kur e shihja në fotografi më dukej sikur nuk është ai Milazimi që e kam njohur dikur, dukej i kërrusur dhe i lodhur. Para syve të mi paraqiteshin shumë e shumë shqiptarë tjerë si, Vebi Ibrahimi me atë mjekrën e zezë që mbante atëherë, qyteti i Kufsteinit me bukuritë e tij, etj. Eh, sikur të kthehej edhe njëherë ajo kohë, më thotë nganjëherë mendja, e t’i takoja edhe njëherë ata njerëz që i kam njohur, do të isha njeriu më fatlum në jetë. E di se kjo tani është e pa mundur, mbase kur jeton gjatë në mërgim edhe ëndrrat të bëhen shumë të rënda si vetë jeta e mërgimtarit.
E di se Milazimi e ka njohur Vehbi Ibrahimin, por nuk më ka rënë të lexoj në fejtonet e lartpërmendura që ta ketë përmendur diku emrin e Vehbiut? Ndoshta është harresa në pyetje. Shfrytëzoj rastin që Milazimit, me anë të këtij shkrimi, t’i shpreh ngushëllimet e mia më të çiltra për vdekjen e birit të tij dëshmor, Skifterit, i cili ra në Fushën e Nderit për lirinë e Shqipërisë etnike.
Milazimin, pasi që mora vesh se po jetuaka në Gjilan, do ta vizitoj në shtëpinë e tij, ku do të bisedojmë në retrospektivë: t`i evakuojmë kujtimet tona për shokët tanë të përbashkët, të gjallë e të rënë.