Hasan Prishtina

Hasan Prishtina

 
Hasan Prishtina lindi më 1873 në Vushtrri në një familje patriote, u vra më 14 gusht 1933 në Selanik me atentat. Ishte patriot e demokrat revolucionar i shquar që luftoi për lirinë e pavarësinë e atdheut, për demokratizimin e jetës së vendit, për çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbomadhe dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar.
Studimet e larta i kreu në Stamboll për shkencat politiko-juridike. Në vitet 1908-1912 u zgjodh tri herë deputet në parlamentin osman, të cilin e përdori si tribunë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve.
Në fillim të vitit 1912 së bashku me Ismail Qemalin ishte ndër nismëtarët për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të Armatosur në Shqipëri ku u shqua si udhëheqësi kryesor. Në vitin 1913 u ngarkua me detyrën e ministrit në qeverinë kombëtare të Vlorës. Me themelimin e komitetit "Mbrojtja Kombëtare e Kosovës" u zgjodh anëtar i tij, ndërsa në dhjetor të vitit 1919 komiteti e ngarkoi si kryetar të delegacionit të tij në Konferencën e Paqes në Paris ku do të kërkonte bashkimin me shtetin kombëtar shqiptar të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi.
Mori pjesë aktive në përgatitjen dhe organizimin e Kongresit të Lushnjës 1920 dhe në prill të vitit 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar. Në dhjetor të vitit 1921 kryesoi një ndër qeveritë më demokratike të vendit. Hasan Prishtina ishte një nga drejtuesit e organizatorët kryesorë të lëvizjes antizogiste të shkurt-marsit 1922. Gjatë viteve 1922 dhe 1923 u shqua si kundërshtar i vendosur i reaksionit të brendshëm. Shquhet si luftëtar për mbrojtjen e "Zonës neutrale" të Junikut nga forcat serbe dhe ato zogiste, si udhëheqës i lëvizjes nacionalçlirimtare dhe i çetave kryengritëse në Kosovë kundër sundimit serb. Hasan Prishtina mori pjesë aktive në përgatitjen e Revolucionit Demokratiko-borgjez të qershorit të vitit 1924, luftoi për vënien në jetë të programit të qeverisë demokratike të dalë nga ky revolucion. Në shtator të vitit 1924 në krye të një delegacioni në emër të komitetit "Mbrojtja Kombëtare e Kosovës" shkoi në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë ku protestoi kundër barbarizmave mbi popullsinë shqiptare të qarqeve shoviniste serbe në Kosovë.
Pas dështimit të revolucionit të 1924-ës u largua jashtë atdheut. Gjatë tërë kohës në mërgim (1925-1933) qëndroi në krahun më të përparuar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. E vazhdoi luftën kundër regjimeve diktatoriale e monarkofashiste, kundër tiranisë zogiste në Shqipëri dhe zgjedhës shoviniste serbomadhe në Kosovë. Nën drejtimin e tij, u themelua "Komiteti i Çlirimit të Kosovës" i cili veproi jashtë vendit krahas Komitetit të Çlirimit Nacional. Hasan Prishtina luftën çlirimtare në Kosovë u përpoq ta lidhë e ta bashkërendojë me luftën e popujve të shtypur ballkanikë. Disa herë u bë nismëtar i bashkëpunimit me përfaqësuesit dhe organizatat nacionalçlirimtare të Maqedonisë, të Bosnjës, të Kroacisë e të tjerë që vuanin nën zgjedhën e regjimeve shoviniste të huaja. Hasan Prishtina kërkonte respektimin e të drejtave kombëtare të të gjithë popujve ballkanikë gjë që do të arrihej sipas tij me krijimin e shteteve kombëtare në bazë të parimit të vetëvendosjes, duke përjashtuar çdo formë të hegjemonisë së njërit ndaj tjetrit. Katër herë armiqtë organizuan kundër tij atentate me armë. Dy herë e burgosën pushtuesit serbë e bullgarë. Gjashtë herë e dënuan me vdekje xhonturqit, feudali e vegla e Serbisë Esat Toptani, qarqet shoviniste serbomadhe dhe tri herë qeveria e Ahmet Zogut. Më 14 gusht 1933 u vra në Selanik me atentat nga agjentët e Ahmet Zogut në bashkëpunim me qeverinë jugosllave. Hasan Prishtina ka lënë një varg artikujsh si edhe kujtimet e tij për kryengritjen antiosmane të 1912 që kanë vlerë për historinë e lëvizjes sonë kombëtare e demokratike. Në vitin 1977 eshtrat e tij u sollën nga Selaniku në Shqipëri.
 
 
 
Ora
 
Data
 

Web design tools, Small Website Calendar, ArtDigitalDesign.com

Lajmet
 
Vizitorë
 
 
Diese Webseite wurde kostenlos mit Homepage-Baukasten.de erstellt. Willst du auch eine eigene Webseite?
Gratis anmelden